Martesa dhe marrëdhëniet e tjera

Në  Belgjikë, martesa është një zgjedhje e lirë, ju vendosni nëse doni të martoheni dhe me kë. Në vendin tonë, njerëzit e të njëjtës gjini mund të martohen gjithashtu me njëri-tjetrin. Të dy partnerët duhet të jenë të paktën 18 vjeç.

Martesa në Belgjikë

  • Martesa është një zgjedhje e lirë. Në Belgjikë, ju mund të martoheni me partnerin që ju zgjidhni vetë. Martesa e detyruar – kur një ose të dy partnerët detyrohen të martohen kundër vullnetit të tyre - është e paligjshme.
  • Të dy partnerët duhet të jenë të paktën 18 vjeç për t’u martuar.
  • Burrat dhe gratë mund të martohen, por edhe dy gra gjithashtu mund të martohen me njëra-tjetrën ose dy burra me njëri-tjetrin.
  • Ju nuk mund të martoheni nëse partneri juaj është anëtar i familjes. Ju nuk mund të martoheni me vëllanë ose motrën tuaj, kushëririn, xhaxhanë/dajën apo me hallën/tezen.
  • Kur njëri nga partnerët martohet me qëllimin e vetëm për të marrë të drejtën e banimit dhe jo për të jetuar me partnerin, kjo është martesë e rreme. Zyrtari i komunës mund ta refuzojë një martesë nëse ai beson se është një martesë e rreme.
  • Martesa është zyrtare vetëm nëse martoheni përpara ligjit (një martesë civile). Martesat kryhen në sallën komunale. Ju nuk jeni i detyruar të bëni një martesë fetare, por ju mund ta bëni nëse doni.
martesa para ligjit

Bashkëjetesa

Burrat dhe gratë mund të jetojnë së bashku në Belgjikë, dhe mund të kenë shtëpi dhe fëmijë, pa u martuar. Është e mundur të lidhni një kontratë në mënyrë që partnerët të kenë të njëjtat të drejta para ligjit si njerëzit që janë të martuar. Kjo kontratë quhet kontratë bashkëjetese.

Marrëdhëniet në Belgjikë

  • Në Belgjikë, gjithnjë e më pak njerëz po martohen.
  • Belgët po bëjnë më pak fëmijë sesa në të kaluarën. Kjo shpesh është një zgjedhje e lirë.
  • Disa çifte ndahen (divorcohen) dhe jetojnë veçmas me fëmijët e tyre.
  • Nëse një prind me fëmijë (familje me një prind) fillon të jetojë së bashku me një prind tjetër dhe fëmijët e tij ose saj, ata formojnë një familje të re.