Koronavirusi: testimi dhe gjurmimi i kontakteve

Për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, është e rëndësishme që të dini me shpejtësi se kush është infektuar me koronavirusin dhe me kë ka pasur kontakt kohët e fundit personi i infektuar. 

Nëse jeni i sëmurë me simptomat e koronavirusit, një doktor ose infermier do t’ju testojë për virusin. Nëse rezultati i testit është pozitiv, është e rëndësishme që të dini se me kë keni pasur kontakt.

Gjurmimi i kontakteve
Gjurmimi i kontakteve kryhet përmes telefonit nga një zyrtar i qeverisë belge.

Nëse po qëndroni në një qendër pritjeje, gjurmimi i kontakteve do të bëhet së bashku me një punonjës të qendrës së pritjes.

Së bashku, do të hartoni një listë me emrat e të gjithë personat me të cilët keni pasur kontakt kohët e fundit. Mendoni për personat që keni takuar nga 2 ditë para se të kishit simptomat, për shembull anëtarët e familjes suaj, një shok me të cilin keni dalë shëtitje, kolegë ose eprorë.

Zyrtari i qeverisë do t’i telefonojë kontaktet tuaja (ata me të cilët keni pasur kontakt) dhe do t’i këshillojë rreth masave paraprake që duhet të marrin.

Si do të kontaktoheni?
Punonjësi i qeverisë do t’ju kontaktojë me telefon (numri 02 214 14 19), SMS (numri 8811), letër ose email.
 
Nuk po i kuptoni pyetjet? Kërkoni ndihmë nga asistenti social ose një punonjës i qendrës së pritjes.

Është e rëndësishme për shëndetin publik që të bashkëpunoni me gjurmimin e kontakteve. Në këtë mënyrë, mund të ndihmoni në ngadalësimin e përhapjes së koronavirusit.

Mbrojtja e të dhënave tuaja

  • Punonjësi i qeverisë do të trajtojë informacionin që ju jepni në mirëbesim. 
  • Informacioni që jepni do të përdoret vetëm për t’u dhënë këshilla kontakteve tuaja. 
  • Vetëm shërbimi shëndetësor qeveritar do të ketë akses në listën e kontakteve tuaja, jo puna, familja, shkolla, policia apo shërbimet e tjera qeveritare. 
  • Kontaktet e listës suaj nuk do të dëgjojnë emrin tuaj. Ju do të mbeteni anonim. 
  • Personi që telefonon kontaktet tuaja ka detyrimin e mbajtjes së sekretit. Të dhënat tuaja do të ruhen në një databazë të sigurt qeveritare. 
  • Informacioni që ju jepni nuk do të përdoret për të verifikuar pajtueshmërinë me masat. Informacioni nuk ndahet me policinë apo shërbime të tjera të kontrollit.